Friday , 18 August 2017

Tronditetëse: Kosova humb Bokserin më të mir që ka pasur ndonjëher

nassss-650x358
Kosova e ka humbur njërin prej boksierëve më të mirë të saj.
Fjala është për Naser Shalën, i cili e përfaqësoi vendin tonë edhe në Lojërat Evropiane “Baku 2015”. Ndërsa tani synon ta përfaqësojë Holandën në “Olimpiadën 2020”. Shala thotë se u tradhtua shumë keq në Prishtinë nga udhëheqësit e Komitetit Olimpik dhe Federatës së Boksit, saqë ia sollën punën të skuqet edhe para familjes së tij. Andaj iku në Holandë, ku ka gjetur kushte për t’i shëruar plagët shpirtërore që i kishte pësuar në Kosovë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Të jesh njëri prej më të mirëve në sportin tënd dhe të largohesh nga vendi duke u ndier i zhgënjyer dhe i tradhtuar! Naser Shala i bëri valixhet gati dhe gjatë verës që shkoi e la Kosovën për të shkuar në kurbet, ku synon ta fillojë një jetë të re.

Boksieri prizrenas vazhdon të merret me këtë sport luftarak, ndërkohë që klubi ia ka siguruar edhe një punë. Ai ndihet mjaft i lumtur me jetën në Holandë.

“Këtu kam ardhur që nga qershori, me një vizë 30-ditëshe falë trajnerit të klubit të boksit ‘Shkupi’, Naser Haruni, i cili më ka ndihmuar ta marrë këtë vizë. Pasi kam ardhur në Holandë, kam shkuar tek një klub i boksit në Eindhoven, ku pas disa ditë ushtrimesh dhe sparingjesh të forta u rashë në sy të mirë trajnerëve dhe përmes atyre e vazhdova vizën për gjashtë muaj. Tash më ka ardhur një zarf nga Komuna për ta tërhequr kartën e identitetit dhe e gjithë kjo falë klubit ku jam tash”, thotë fillimisht Shala për “Zërin”.

Shala: Më tradhtuan keq

Largimi i Shalës nga Kosova për në Holandë lidhet me tradhtinë, të cilën thotë ai se ia bënë “shefat” e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe të Federatës së Boksit të Kosovës.Ai kishte punuar shumë dhe kishte sakrifikuar gjithçka që ta përfaqësojë Kosovën në Olimpiadën e Rios, por në fund mbeti i zhgënjyer, pasi nuk u realizuan premtimet që ju dhanë.

“Unë kam ushtruar çdo ditë e natë pa ndërprerë, vetëm për ta arritur qëllimin që ta bëj shtetin tim krenar.

Zhgënjimi im në Kosovë kanë qenë Besim Hasani (kryetari i KOK-ut), Ramadan Selimi (kryetari i FboxK-së) dhe Mehmet Bogujevci (sekretari i FboxK-së), pasi të tre më premtuan një vit e gjysmë më herët se do të më ndjekin rrugës për në ‘Rio 2016’. Më premtuan rrogë deri në 300 euro, por asnjëra prej këtyre nuk u realizuan. Vetëm shtatë muaj më vonë më larguan nga Kampionati Evropian pa kurrfarë arsye dhe më zëvendësuan me një boksier më të ulët se unë”, zbulon Shala.

“Pikërisht këta njerëz me premtimet e tyre më shtyn ta ndaloj punën time, pasi për katër vjet isha duke punuar në kompaninë ‘Bechtel’, ku kisha rrogë mujore 700 euro, si operator i pompës së betonit dhe shofer. Po ashtu, gjatë një viti e gjysmë e harxhova familjen time hiç më pak se 300 euro në muaj për shpenzimet personale të sportit për përgatitje. E krejt në fund nuk dija se çfarë përgjigje t’ia jepja babit tim! Pse nuk jam shpresë olimpike? Ku mbeti fytyra ime te familjarët e mi? Kisha humbur punën e vlefshme dhe kisha humbur shumë para”, ankohet boksieri prizrenas.

Nuk kthehet në Kosovë

Shala merret me boks që nga tetori i vitit 2009, kur kishte filluar me klubin “Prizreni”.

Ai ishte kampion i pesëfishtë i Kosovës në kategorinë 64 kilogramë dhe ka fituar shumë medalje të arta në turne ndërkombëtare, të organizuar nga AIBA, por është edhe pjesëmarrës i Lojërave Evropiane “Baku 2015”.

Sidoqoftë, ai ka mbetur aq i zhgënjyer me njerëzit që e udhëheqin sportin në Kosovë, saqë nuk mendon të kthehet në vendin ku u lind e rrit.

“Sa i përket sportit, kurrë nuk mendoj të kthehem në Kosovë. Ndërkaq, sa i përket përfaqësimit të Kosovës në ndonjë garë, do të kthehesha, por vetëm me një kusht: kur të ndërrohen shefat në Federatën e Boksit”, thotë Shala për Zërin.

Synon Olimpiadën me Holandën

Shala shton se kushtet në klubin e tanishëm të tij në Holandë janë shumë të mira dhe se po ushtron intensivisht për vitin 2017.

Tash e pesë vjet ai e kishte përfaqësuar Kosovën. Por, një gjë e tillë më nuk do të ndodhë.

“Vitin që vjen ka gara të mëdha dhe është viti i karrierës sime, sepse tash po e përfaqësoj shtetin holandez e jo vetëm klubin. Falë klubit, unë po e gëzoj një punë të mirë e të lehtë në një fabrikë, ku punoj 6 orë brenda ditës, për një rrogë shumë të mirë. Shpenzimet tjera janë të hequra”, shpjegon ai.

“Unë e synoj ‘Olimpiadën e Tokyos në 2020’, duke e përfaqësuar Holandën. Kjo është ëndrra ime, të cilën vetëm pak muaj më parë nuk munda ta realizoja shkaku i njerëzve të pandërgjegjshëm”, përfundoi Shala.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Indeksi: